Drita do të luajë sot ndaj kampionit rumun, FCSB, në orën 20:30 në Arenën Kombëtare, në kuadër të raundit të tretë të Europa League.
Trajneri Zekirija Ramadani u shpreh me besim në konferencën për shtyp, duke theksuar se ekipi ka analizuar shumë mirë kundërshtarin, madje duke përmendur edhe ndeshjet e FCSB-së ndaj Shkëndijës.
Për këtë sfidë, Ramadani do të duhet të bëjë pa dyshen kryesore, pasi Liridon Balaj është i suspenduar, ndërsa Camilo Mesa është dëmtuar rëndë gjatë stërvitjeve të fundit dhe do mungojë gjatë.

Në portë pritet të jetë Faton Maloku, ndërsa në mbrojtje do të luajë Besnik Krasniqi në krahun e djathtë. Në qendër të mbrojtjes do të jetë Egzon Bejtullai, ndërsa në krahun e majtë pritet të zhvendoset Blerton Sheji, zëvendësues i Mesas do të jetë Raddy Ovouka.
Në mesfushë, pritet të luajnë tre lojtarë, me Rron Brojën dhe Albert Dabiqajn si zakonisht, ndërsa pritet t’u bashkohet edhe Vesel Limaj.

Në sulm nga minuta e parë do të jenë Veton Tusha në të djathtë, Arb Manaj në qendër dhe Almir Ajzeraj në të majtë.
Ardhja më e re, Kristal Abazaj, varësisht nga përgatitja e tij, mund të marrë minuta në këtë përballje të rëndësishme ndaj FCSB-së.
