Ballkani me përqendrim maksimal ndaj Shamrock: Shehi dhe Potoku flasin para sfidës evropiane

Orges Shehi - Arbër Potoku

Në prag të sfidës së radhës në garat evropiane, trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, dhe mbrojtësi Arbër Potoku dhanë vlerësimet e tyre për kundërshtarin Shamrock, duke theksuar përgatitjen, përvojën dhe rëndësinë e përqendrimit maksimal në këtë përballje.

Ballkani pret Shamrock Rovers në një përballje të vështirë evropiane, ku trajneri Shehi dhe mbrojtësi Potoku shprehen të vendosur për të shfrytëzuar përvojën dhe faktorin fushë në kërkim të një rezultati pozitiv, thekson Kërlaçki nga konferenca për shtyp e skuadrës sonë.

Orges Shehi
Orges Shehi

Orges Shehi, kryetrajner i Ballkanit: Dallimi kryesor është se ata janë në mes të sezonit dhe kanë një grup që luan bashkë prej vitesh

“Është një ndeshje e rëndësishme ndaj një kundërshtari që ka dominuar në kampionatin e vet dhe ka marrë pikë në fazën e grupeve në Evropë. Megjithatë, edhe ne kemi përvojën tonë, dhe kjo përballje është mes dy skuadrave me cilësi. Dallimi kryesor është se ata janë në mes të sezonit dhe kanë një grup që luan bashkë prej vitesh, ndërsa ne kemi pasur disa ndryshime në përbërje”, ka thënë Shehi.

“Do të përpiqemi të bëjmë zotin e shtëpisë, me egërsi dhe përqendrim maksimal, duke kryer detyrat në mënyrë të saktë. Asgjë nuk do të vendoset nesër, por duhet të bëjmë më të mirën për të arritur rezultatin që duam”.

“Shamrock ka një stil të ndryshëm nga Floriana. Ata kanë një modul tjetër loje dhe janë më të avancuar në aspektin fizik për shkak të vazhdimësisë së kampionatit. Është një sfidë ndryshe dhe më e vështirë”, tha Shehi.

Shehi: Kush s’do të donte një lojtar si Berisha – por nuk ka asgjë konkrete

“Do të mundohemi të mos gabojmë dhe të përfitojmë nga gabimet e kundërshtarit. Jam i kënaqur me kontingjentin aktual të lojtarëve, megjithëse kemi pësuar disa ndryshime. Kemi një ekip të kompletuar”, potencoi trajneri i Ballkanit.

“Sa i përket Blenard Berishës, padyshim që do të ishte kënaqësi ta kishim në mesin tonë. Mund të shprehim dëshirat tona për një lojtar si ai, por për momentin nuk ka asgjë konkrete”, ka mohuar zërat se Berisha ka arritur marrëveshje me Ballkanin.

Arbër Potoku
Arbër Potoku

Arbër Potoku: Duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë – kjo është një përparësi për ne

“Fakti që jemi në këtë fazë tregon se kemi shansin tonë. Kemi krijuar përvojë, por edhe Shamrock ka eksperiencë, madje vitin e kaluar shënoi suksesin më të madh në historinë e saj. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë – kjo është një përparësi për ne”, ka thënë, Potoku.

“Është e vërtetë që kemi pësuar gola të lehtë, përfshirë një penallti që nuk ekzistonte, por nuk kishte VAR. Edhe nga kundërsulmet kemi pësuar, por kemi punuar për të evituar këto gabime. I kemi analizuar me kujdes dhe e pranoj se duhet të jemi më të vëmendshëm. Shamrock ka disiplinë taktike në të dy fazat e lojës, prandaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar për të pësuar sa më pak dhe të jemi ne ata që do të përfitojmë në gabimet e kundërshtarit”, ka mbyllur mbrojtësi i majtë me përvojë, Arbër Potoku.

Nach oben scrollen