Klubi serb Crvena Zvezda ka falënderuar publikisht tifozët e Lech Poznanit, të cilët në ndeshjen e së mërkurës kundër tyre, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shpalosën një baner me përmbajtje politike, ku shkruhej: “Kosova është Serbi”.
Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e qytetit Poznan, ku vendasit shfaqën mesazhin e madh politik në tribunat e tyre.
Pas përfundimit të takimit, të cilin Crvena Zvezda e fitoi 1:3, klubi serb publikoi në platformën “X” (ish Twitter) një fotografi të banerit dhe shkroi fjalën “Faleminderit” në gjuhën polake (“Dziękujemy”), duke falënderuar hapur tifozët për mbështetjen ndaj kauzës së tyre.
Ky veprim ka ngritur shqetësime, veçanërisht për faktin se Polonia ka qenë një nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, megjithatë një pjesë e tifozëve polakë vazhdojnë të përkrahin narrativat serbe sa i përket statusit të Kosovës.
UEFA, ndërkohë, në të kaluarën ka ndërmarrë masa ndëshkuese për incidente të ngjashme me përmbajtje politike dhe nxitëse në stadiume, duke shqiptuar gjobitje dhe ndëshkime ndaj klubeve apo federatave përkatëse.
Mbetet të shihet nëse institucioni më i lartë i futbollit evropian do të reagojë edhe ndaj këtij rasti.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, as Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka reaguar fare.