Jorge Costa, ndërron jetë në moshën 53-vjeçare

Jorge Costa

Ish-mbrojtësi dhe kapiteni legjendar i FC Porto, Jorge Costa, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare, pas një ataku kardiak të pësuar në qendrën stërvitore të klubit, ka konfirmuar klubi portugez.

Costa udhëhoqi Porton drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve në vitin 2004, nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho, dhe grumbulloi 50 paraqitje me kombëtaren e Portugalisë.

Në sezonin 2001-2002 ai u huazua te Charlton Athletic në Premier League dhe u tërhoq nga futbolli aktiv në vitin 2006.

Pas karrierës si lojtar, ai kaloi në drejtim duke trajnuar 16 klube në vende të ndryshme, përpara se të rikthehej në Porto si drejtor i futbollit profesionist sezonin e kaluar.

“Gjatë gjithë jetës së tij, brenda dhe jashtë fushës, Jorge Costa mishëroi vlerat që përfaqësojnë FC Porto: përkushtim, lidership, pasion dhe një shpirt të pathyeshëm fitues,” ka deklaruar klubi. Ai la gjurmë te breza të tërë tifozësh”.

Vdekja e tij është e treta e papritur që godet ish-lojtarët e Portos këtë verë, pas ndarjes tragjike nga jeta të ish-lojtarit në huazim Diogo Jota dhe të vëllait të tij, Andre Silva – ky i fundit kaloi gjashtë vite te Porto – në muajin korrik.

Jorge Costa ishte produkt i akademisë së Portos dhe regjistroi 324 paraqitje me ekipin e parë.

Ai fitoi 24 trofe përpara se të largohej në vitin 2005, përfshirë Ligën e Kampionëve, Kupën UEFA dhe tetë tituj kampion në Primeira Liga.

Në vitin 2000, Costa u nderua me “Topin e Artë Portugez” – çmimi që jepet për lojtarin më të mirë të kampionatit.

Karriera e tij si trajner e çoi në vende të ndryshme të botës, përfshirë Portugalinë, Rumaninë, Qipron, Tunizinë, Indinë dhe Gabonin.

Nach oben scrollen