“Luajtëm mirë”, nuk mjafton më – Drita duhet ta mposhtë një të madh, duke nisur nga Steaua

FC Drita

Drita ka një synim të qartë dhe minimal këtë sezon në garat evropiane: fazën e grupeve në Conference League – një arritje që deri më tani është realizuar vetëm nga Ballkani, dhe atë dy herë.

Pas eliminimit nga Copenhagen me rezultat të përgjithshëm 3-0, skuadra gjilanase tashmë ka përballë një tjetër gjigant evropian – Steaua Bukureshtin, klubin më të madh të Rumanisë dhe një ndër më të mëdhenjtë në Ballkan.

Steaua është një emër me peshë të madhe në futbollin evropian. Kampionë të Evropës në vitin 1986 dhe fitues të Superkupës së Evropës, ata numërojnë 28 tituj kampioni dhe 24 Kupa të Rumanisë.

Në vitet e fundit, si në klub ashtu edhe te tifozët e Dritës është dëgjuar shpesh shprehja: “Luajmë mirë ndaj ekipeve të mëdha.” Dhe kjo ka të vërtetën e vet, por nuk është gjtihçka bardhë. Drita ka zhvilluar paraqitje solide ndaj emrave si Malmö, Legia, Antwerp, Plzen dhe Feyenoord, por ka ndeshje ku nuk ka shënuar as gol, ndërsa rezultati i përgjithshëm është i frikshëm.

FC Drita

Drita nuk ka eliminuar asnjërën prej tyre. Me dy ndeshje, bilanci është i qartë:

Malmö: humbje 5-0 në total,

Antwerp: humbje 2-0 në total,

Legia: humbje 3-0 në total,

Plzen: eliminim pas vazhdimeve (0-0 jashtë, 1-2 në shtëpi),

Feyenoord: barazim historik në shtëpi (0-0), por humbje totale 3-2.


Këto janë statistika që tregojnë për luftë dhe përballje dinjitoze, por jo kualifikime.

Koha ka ardhur që Drita të ndalë së thëni “luajmë mirë” dhe të fillojë të fitojë ndaj të mëdhenjve. Pikërisht siç bëri këtë vit Shkëndija, që eliminoi Steaua Bukureshtin, ose siç kanë bërë më herët Ballkani dhe Skënderbeu ndaj kundërshtarëve me emër.

Nëse dëshiron të tundësh themelet e futbollit, duhet të mposhtësh një të madh – dhe Steaua është pikërisht një i tillë.

Vlera dhe historia e klubit rumun

Sipas vlerësimeve të tregut, Steaua ka një skuadër me vlerë mbi 50 milionë euro, krahasuar me 6 milionë euro të Dritës – një pabarazi e madhe, por në futboll gjithçka është e mundur.

Kjo pasi gjiganti rumun nuk po kalon asnjë moment të mirë dhe vjen edhe nga humbja në kampionat, në derbin e madh lokal ndaj Dinamo Bukuresht me rezultat 4-3.

Një fitore ndaj Steauas do t’i siguronte Dritës minimalisht fazën e grupeve të Conference League, si dhe shansin për të luajtur në play-off të Europa League.

Steaua Bukuresht

Koha për të fituar, jo vetëm për të lënë përshtypje. Koha për ta mposhtur një të madh.

Nach oben scrollen