Messi pa truproje!

Lionel Messit, Yassine Cheuko

Truproja personale e Lionel Messit, Yassine Cheuko, është pezulluar deri në fund të turneut League Cup për “sjellje të papërshtatshme”, sipas raportimeve nga mediat amerikane.

Incidenti ndodhi gjatë ndeshjes mes Inter Miami dhe Atlas këtë javë, ndërsa komisioni disiplinor ka konfirmuar pezullimin e anëtarit të stafit të klubit nga MLS.

Sipas njoftimit zyrtar, Cheuko hyri në një zonë të kufizuar pa pasur akreditimin e nevojshëm për atë ndeshje.

“Pas ndeshjes mes Inter Miami CF dhe Club Atlas më 30 korrik, një anëtar i delegacionit të klubit shfaqi sjellje të papërshtatshme duke hyrë në zona të kufizuara pa akreditim zyrtar për ngjarjen”, thuhet në deklaratë.

Në përputhje me rregulloren e turneut League Cup, Komisioni Disiplinor ka pezulluar individin e përfshirë nga të gjitha zonat teknike deri në përfundim të garës dhe i ka shqiptuar një dënim të pa bërë publik klubit Inter Miami.

Sipas ESPN, personi në fjalë është pikërisht truproja personale e Messit, Yassine Cheuko.

Cheuko u pa duke hyrë në fushë menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare dhe ndërhyri për të ndalur një përplasje mes dy grupe lojtarësh, duke hyrë në kontakt me disa futbollistë të Atlasit.

Një nga lojtarët e Atlasit e përmendi këtë incident në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke insistuar se Cheuko nuk kishte leje për të hyrë në fushë.

Ndërkohë, pasi kreu një ndeshje pezullim, Lionel Messi u rikthye në fushë me Inter Miamin dhe asistoi në të dy golat e fitores 2:1 kundër Atlasit.

League Cup është një turne që përfshin skuadra nga MLS dhe kampionati meksikan, dhe aktualisht po zhvillohet faza e grupeve.

Nach oben scrollen