Futbolli portugez është goditur sot nga një tjetër tragjedi, pasi në moshën 54-vjeçare ka ndërruar jetë kapiteni legjendar i Portos, Jorge Costa.
Jorge Costa deixou-nos. Um de nós, um líder, capitão, exemplo. Um símbolo do FC Porto.
Obrigado por seres FC Porto até ao fim.
Até sempre, Jorge Costa. pic.twitter.com/XTmW5WVEHj
— FC Porto (@FCPorto) August 5, 2025
Costa u nda nga jeta pas një arresti kardiak që pësoi pas një paraqitjeje në një emision televiziv. Megjithë përpjekjet e mjekëve pas hospitalizimit, nuk arritën ta shpëtonin.
Ai ishte një mbrojtës qendror i jashtëzakonshëm dhe lider i padiskutueshëm te Porto, ku mbante shiritin e kapitenit dhe udhëhoqi ekipin drejt triumfit të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve në vitin 2004.
Costa gjithashtu përfaqësoi Portugalinë në 50 ndeshje ndërkombëtare, ndërsa me fanellën e Portos regjistroi pothuajse 400 paraqitje.

Lajmi për ndarjen nga jeta të Costës ka prekur thellë Jose Mourinhon, trajnerin e famshëm portugez i cili punoi ngushtë me të dhe e drejtoi Porton drejt lavdisë europiane në atë vit historik.
Mourinho mbajti dje konferencën më të dhimbshme për shtyp në karrierën e tij, ku shpërtheu në lot para gazetarëve, i pikëlluar nga humbja e mikut të tij.
Bëhet fjalë për konferencën për shtyp para sfidës mes Fenerbahçes dhe Feyenoordit në Roterdam, që luhet sot. Pjesa më e madhe e deklaratës iu kushtua kujtimit të Jorge Costës.
“Iku një pjesë e historisë sime”, – nisi Mourinho, ndërsa fshinte lotët nga fytyra e tij, ku shiheshin qartë gjurmët e dhimbjes që ndiente edhe para daljes në konferencë.
Ai vazhdoi me fjalë të ndjera për mikun dhe ish-kapitenin e tij:
“Ka kapitenë dhe ka liderë. Ndonjëherë nuk ka të bëjë me shiritin, por me atë që përfaqëson. Jorge ishte ai lloj njeriu që unë e quaja ‘pastruesi i mbeturinave’, ai që i linte trajnerët të bënin punën e tyre në fushë, jo në dhomat e zhveshjes. Kjo është e përkryer për një trajner – kur kapiteni yt e bën atë punë. Jam shumë i pikëlluar, por le të lëmë mënjanë futbollin – të fokusohemi tek ai, tek fëmijët e tij, që ishin të vegjël kur i njoha. Natyrisht që jam i trishtuar, por jam këtu sepse, po të mundte të fliste me mua tani, Jorge do të më thoshte, ‘Shko mbaj konferencën, luaj nesër, fito, dhe më harro për pak mua.’ Ky ishte Jorge. Do përpiqem ta bëj punën time – të qaj më vonë. Sot dhe nesër kam punë, punë që Jorge do të donte ta kryeja”, tha Mourinho.
Ai publikoi gjithashtu një foto të përbashkët me Costën në Instagram, duke përsëritur mesazhin emocional dhe fjalët që, sipas tij, do t’i kishte thënë miku i tij i ndjerë.
Mourinho do të udhëheqë nesër Fenerbahçen në një përballje të vështirë në turin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Feyenoordit.