Lando Norris arriti një fitore të madhe sot në Çmimin e Madh të Hungarisë, të zhvilluar në pistën ikonike të Hungaroringut – gara e 14-të e këtij sezoni dhe e fundit para pushimeve verore.
Pas tij, në vend të dytë u rendit shoku i skuadrës, Oscar Piastri, ndërsa podiumi u plotësua nga George Russell i Mercedesit, që përfundoi në vendin e tretë.
Charles Leclerc nga Ferrari, megjithëse e nisi garën nga pozita e parë, përfundoi në vendin e katërt.
Ai pati një nisje të shkëlqyer dhe e ruajti kryesimin në xhirot e para, ndërkohë që Lando Norris pati një fillim të vështirë, duke rënë në vendin e pestë pasi u kalua nga Russell dhe Alonso.

Në xhiron e 18-të, Norris u ankua për performancën e gomave, ndërsa Piastri bëri një ndalesë të hershme për të tentuar parakalimin strategjik ndaj Leclerc.
Por Leclerc iu përgjigj menjëherë duke hyrë në bokse në xhiron pasardhëse dhe arriti të dalë sërish përpara australianit.
Rreth dhjetë xhiro më vonë, Leclerc raportoi probleme me makinën përmes radios dhe tha se me ritmin aktual nuk mund të mbronte pozitat e para.
Ai hyri sërish në bokse në xhiron e 40-të, ndërsa Piastri ndaloi në të 46-tën, çka i dha mundësinë Norris-it të merrte kryesimin dhe të shënonte një fitore të rëndësishme.