Presidenti i klubit rumun FCSB, Gigi Becali, ka paralajmëruar se do të marrë masa shtesë sigurie për skuadrën e tij në ndeshjen ndaj Dritës, që zhvillohet nesër në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Becali ka deklaruar se do të dërgojë rreth 20 truproja në Kosovë, duke përmendur si arsye “situatën e sigurisë”.
Kampioni i Rumanisë u eliminua më herët nga Shkëndija në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa vetë presidenti rumun kishte bërë disa deklarata kontroverse ndaj klubeve shqiptare që shkaktuan reagime.

Në emisionin sportiv “Fanatik Superliga”, ku ishte i ftuar, moderatori Horia Ivanovici i shpjegoi Becalit se emri “Drita” në shqip do të thotë “dritë”. Reagimi i presidentit rumun ishte befasues: “Vetëm një person mund të jetë dritë,” tha ai, duke aluduar në figurën e Jezu Krishtit.
Megjithatë, më shumë vëmendje mori deklarata e tij për masat e sigurisë që planifikon t’i marrë në Prishtinë. Ai ka thënë se në ndeshjen që do të zhvillohet në Kosovë, do të dërgojë rreth 20 truproja për të mbrojtur skuadrën.
“Kështu më kanë thënë, që atje ka dhunë. Kam dëgjuar se janë bërë kërcënime. Nuk dua të them shumë, nuk dua t’i fyej ata, por kështu është më mirë,” u shpreh Becali.

Ai shtoi se nuk ka ndonjë konflikt personal me ekipin nga Gjilani, por pretendon se është informuar për rrethana që kërkojnë vigjilencë më të lartë.