FC Prishtina është eliminuar nga UEFA Conference League që në raundin e dytë, pas humbjes ndaj Larne nga Irlanda e Veriut, me rezultat të përgjithshëm 1-1 dhe dështim në penallti.
Analiza nga Kërlaçki
Skuadra bardhekaltër nuk arriti të shfrytëzojë përkrahjen e mbi 6,000 tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke zhvilluar një paraqitje të zbehtë, e cila u përmbyll me dy penallti të humbura nga mbrojtësit anësorë, Gjorgje Saletic dhe Ramiz Bytyqi.
Mund të eliminohesh në penallti – kjo është pjesë e futbollit. Por kur përballë ke një kundërshtar që mezi dilte nga gjysma e vet, dhe vetë luan me pesë mbrojtës, atëherë lindin pyetje serioze për vizionin dhe përgatitjen taktike të ekipit.
Rreshtimi me pesë mbrojtës: një vendim i pakuptimtë
Arsim Thaqi zgjodhi të luajë me pesë mbrojtës në një ndeshje ku Prishtina kishte nevojë për dominim, jo mbrojtje. Në vend që të shfrytëzonte kualitetin ofensiv të skuadrës, ai zgjodhi të mbrohej, dhe kjo ndëshkoi.
Ardian Limani, ndër të vetmit me nivel, u “mbyll” në një sistem që nuk e ndihmoi. Bouye dhe Vitija nuk janë në nivelin që kërkon kjo skuadër dhe nuk japin siguri.
Ndërkohë, zhdukja e Ardi Ajdinit nga ekipi është një mister, pasi ai vazhdon të mbetet një alternativë më e mirë se të paktën dy mbrojtësit startues.
Problemet në portë dhe krau i djathë i mbrojtjes
Ardit Nika vazhdon të mos ofrojë siguri në portë. Edhe në golin e barazimit, ndërhyrja e tij e pasigurt – pas thirrjes “e imja” – i fali topin sulmuesit të Larne.
Nga ana tjetër, Ramiz Bytyqi vazhdon të jetë titullar për të katërtin vit rresht, edhe pse gabon pa fund, kur themi pa fund, pa fund.
Prishtina në të kaluarën ka pasur edhe mbrojtës rezervë me më shumë cilësi. Prishtina brenda një sezoni ka pasur dyshe si Lorik Maxhuni- Perparim Osmani, pastaj Armend Thaqi – Perparim Islami dhe Besnik Krasniqi me Trun Bardhokun, vetëm theksojnë regresin.
Mesfusha pa intensitet – sulmi pa ide
Dyshja Namani–Taipi nuk kishte ritëm dhe intensitet për të shtyrë përpara dhe u ndërruan pasi ishin shumë të lodhur. Ndikon edhe mosha. Ardian Muja, që ka ndërruar katër pozita në katër ndeshje, duket ende i humbur.
Veliu ishte më aktiv, por shpesh bënte zgjedhjet e gabuara. Leotrim Kryeziu, kapiteni, lufton shumë por prodhon pak. Nga zëvendësimet, Rin Ahmeti ishte pozitiv – por siç thuhet, “me një lule nuk vjen pranvera”.
Transferimet – alibi apo dështim në planifikim?
Shitjet e Ron Rraqit dhe Dion Gllapanit, apo largimet e Drilon Islamit dhe Albin Krasniqit, nuk mund të shërbejnë si pretekst. Me cilësinë që kanë pasur këta lojtarë, largimi i tyre duhej të ishte i pritshëm dhe klubi duhej të ishte përgatitur.
Zëvendësimi i tyre nuk ndodhi. Erdhën lojtarë me nivel më të ulët. Nëse këta katër do të mbaheshin dhe do të vinin këta që erdhën për konkurrencë, atëherë Prishtina, do të mund të luftonte.
Bilanci: shumë pak sa shumë mund të merrnin
700 mijë euro të fituara nga Europa dhe dy eliminime. Prishtina kishte mundësinë të fitonte mbi 1 milion euro nëse planifikimi do të ishte më serioz.
Por kur gabimet përsëriten vit pas viti, zhgënjimi nuk vjen më si befasi. Për shumë kë jo….