Pas eliminimit nga Shamrock Rovers në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, kampioni i Kosovës, Ballkani, mbyll aventurën e tij evropiane me plot 900 mijë euro të fituara.
Të besuarit e trajnerit Orges Shehi kishin kaluar raundin e dytë pa shumë probleme, duke mposhtur Florianan me rezultat të përgjithshëm 5-3, por në ndeshjen e tretë nuk ia dolën të kalojnë më tej.
Kjo shumë do t’i ndihmojë Ballkani për të qëndruar stabil në këtë sezon që po vjen, ku kërkon ta rrëzojë Dritën nga froni.

Edhe klubet e tjera kosovare kanë përfituar nga pjesëmarrja në garat evropiane këtë sezon. Prishtina, e cila fillimisht mori pjesë në rrethin e parë të Ligës së Evropës dhe më pas në Ligën e Konferencës, u eliminua nga Larne pas penalltive, duke arkëtuar 700 mijë euro.
Malisheva, e eliminua nga Vikingur në raundin e parë të Ligës së Konferencës, përfitoi 325 mijë euro.

Ndërkohë, Drita ka potencialin më të madh financiar, me një fitim prej 1.7 milionë eurosh nëse eliminohet në play-off, dhe hipotetikisht deri në 3.2 milionë euro plus bonuse, nëse arrin fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.